Lajmi i fundit:
  • 11:40 Nishani dekreton kthimin e ligjit për ndarjen administrative

  • 11:35 Kamionët me ndihma ruse lëvizin nëpër Ukrainë

  • 11:32 OKB: Më shumë se 191 mijë viktima në konfliktin sirian deri në prill

  • 11:09 Shirat pengojnë kërkimet nën dhe, në Japoni

  • 11:06 Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, i pranishëm presidenti Nishani

  • 11:00 Avioni i rrëzuar në Ukrainë, trupat e viktimave mbërrijnë në Malajzi

  • 10:28 Rama: Procedim penal abuzuesve me lejet

  • 10:10 Hagel: Militantët e IS-it, kërcënimi më i rrezikshëm për SHBA-në

  • 10:00 Asgjësohen 2.800 rrënjë kanabis në Tepelenë

  • 10:09 Mblidhet Këshilli Kombëtar i Territorit, flet Rama

Gjika kundër Malajt: I pabesë, shitesh tek Berisha. Malaj: Servil i Ramës

gjika-aVlorë- Në emër të strukturave të Partisë Socialiste në Vlorë e elektoratit të majtë në këtë qytet të mandatuarit e Edi Ramës në këtë qark janë shprehur kundër veprimit politik të Arben Malajt për të kandiduar si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit.

Shpëtim Gjika, Kanan Shakaj, Gezim Hoxhaj, Meno Besimi, Edmond Leka, Arben Avduli, Ridvan Muraj, Mujo Shakaj, Klement Vito, Mira Shehu dhe Neime Gjika në një letër publike shprehen:

“Dhe jo vetëm që ne nuk e mbështesim, jo vetëm që jemi kategorikisht kundër, por jemi të gjithë shumë të indinjuar e të revoltuar për faktin që një anëtar i familjes sonë të madhe socialiste, një drejtues i PS në qendër, me të drejtë fjale e vote në kryesi e në strukturat drejtuese, në një formë që ne e vlerësojmë si të pabesë e të pamoralshme, del nga pas shpine e kërkon të përdhosë atë që do të jetë në qarkun e Vlorës e në të gjithë Shqipërinë. Fitorja historike e këtij populli që prej 8 vitesh mezi pret të çlirohet me fuqinë e votës së tij nga pushteti hajdut e vrastar i Sali Berishës.

Dëshirojmë me këtë rast t’i kujtojmë z. Malaj, nëse vërtet e ka harruar, se ai është ende borxhli ndaj Vlorës e vlonjatëve, ndaj socialistëve vlonjatë sidomos. Qysh në korrik 1992 ishim bashkë në të parën betejë politike, në zgjedhjet vendore, ku ai pati privilegjin të ishte kandidati i PS për kryetar bashkie dhe vetëm për një grusht votash nuk u bë i tillë. Që nga ajo ditë, me votën e socialistëve vlonjatë z. Malaj bëri përpara në karrierën e tij politike, në Kuvend e në Qeveri, në të gjitha qeveritë socialiste, në të gjitha grupet parlamentare socialiste.

Ne, si vlonjatë, mund edhe të kemi patur pakënaqësi, sidomos për kohën kur ishte ministër i qeverive socialiste, po kurrë s’ia mohuam mbështetjen e të drejtën për të na përfaqësuar. Mirëpo ky mandat i fundit si deputet, e sidomos sjellja e tij e këtyre ditëve, dëshmojnë për një politikan të përkëdhelur e të llastuar keqazi nga kjo mbështetje.

Aq keq, saqë krejt ndryshe nga qëndrimi i matur e dinjitoz i kolegëve të tij Arben Isaraj, Eltar Deda etj, ai s’e ka për gjë as të na dalë kundër, të dalë kundër aspiratave të mijëra e mijëra socialistëve vlonjatë e familjeve të tyre. Gjatë këtyre ditëve, z. Malaj flet si vlonjat e në emër të vlonjatëve, duke dashur të përligjë qëndrimin e tij tanimë prej opozitari të opozitës, me temperamentin e labit të inatosur.

Ne do t’ia pranonim qejfmbetjen e momentit të parë zotit Malaj, tek e fundit ishte mësuar për një kohë të gjatë të ishte në rresht të parë, madje edhe kur stononte me zërin e arsyeshëm të shumicës në PS. Por Arben Malaj e harroi se ai ishte dhe është në politikë, jo vetëm si një investim i tij personal, por në radhë të parë si një investim i elektoratit që e ka votuar si pjesë e ekipit socialist. Një investim që jo gjithmonë iu shpërblye në vlerën e merituar atyre. Ai as denjoi të konsultohej me ta para se të merrte një vendim kaq të rëndësishëm politik për atë vetë, por edhe për ta, para se t’i priste në besë me këtë kandidim që vetëm kandidim s’mund të jetë”,-thuhet në deklaratën për mediat.

Sipas socialistëve të Vlorës zoti Malaj e di shumë mirë se ky kandidim nuk mund ta çojë atë asgjëkundi.

“Në Kuvendin e Shqipërisë jo e jo. Ai as që mund ta cenojë sadopak fitoren e qartë dhe plebishitare të PS  dhe të opozitës së bashkuar në qarkun e Vlorës e në tërë Shqipërinë. Por ne mendojmë se po gatuhet tjetër gjë.

Si kandidimi i z. Malaj, i z. Prifti, ashtu edhe hedhja në prehrin e Berishës i Islamit etj, janë, për mendimin tonë, tentativa për t’i dhënë alibi Berishës që synon t’i vërsulet me babëzi votës popullore për ta tjetërsuar e për ta vjedhur, e për të thënë pastaj se nuk ishte ai që i vodhi, por ishte PS që humbi për shkak të gjoja përçarjes”,-thonë ata.

“Jo, të dashur bashkëqytetarë! PS hyn në këto zgjedhje më e bashkuar e më vendosur se kurrë më parë, më e rritur e më e përgatitur se asnjëherë tjetër për të neutralizuar çdo skenar e çdo mundësi që ky pushtet tashmë i marrë fund synon të jetësojë.

Nuk është mëria e inati që na shtyn neve, socialistëve e të gjithë opozitarëve të bashkuar, të deklarohemi kaq të vendosur për ta larguar me votë këtë qeverisje që kurrsesi s’e meritojmë. E kemi vendosur që këtë radhë ne, si Vlorë e si vlonjatë, në emër të një interesi mbarëpopullor e mbipartiak, të përballemi në vijën e parë me Sali Berishën, politikisht, me votë sigurisht, por në mënyrën më të hapur e më të vendosur.

Ndaj ju bëjmë thirrje z. Malaj, të hiqeni mënjanë e të mos na futeni në mes, se rrezikoni të bëheni parzmore e mburojë e Sali Berishës. Ne e kemi të qartë se çdo votë që mund të marrësh ti, është votë pro Sali Berishës. Do t’ia  bëjmë të qartë të gjithë popullit opozitar”.

Ata bëjnë thirrje: “Fatmirësisht jemi ende në fillim të fushatës dhe bateritë ende s’janë zbrazur. Vendi yt, Arben Malaj, është përkrah nesh, ashtu siç e do nderi yt e i familjes tënde. Presim ta zësh sa më parë e me modesti atë vend. Mëritë personale do të dimë t’i kapërcejmë, si në çdo familje të shëndoshë”.

Në mbështetje të qëndrimit të kreut të Bashkisë së Vlorës, kanë dalë edhe drejtues të tjerë të njësive vendore të qarkut të Vlorës, si dhe drejtues Partisë Socialiste në këtë qark, të cilët kanë marrë pjesë në konferencën për shtyp:

  1. Shpëtim Gjika – Kryetar i Bashkisë Vlorë
  2. Kanan Shakaj – Kryetar i Komunës Novoselë
  3. Gezim Hoxhaj – Kryetar i Komunës Vllahinë
  4. Meno Besimi – Kryetar i Komunës Kote
  5. Edmond Leka – Kryetar PS Bashkia Vlorë, Kandidat për Deputet PS – Qarku Vlorë
  6. Arben Avduli – Kryetar PS Komuna Qendër
  7. Ridvan Muraj – Kryetar PS Komuna Shushicë
  8. Mujo Shakaj – Kryetar PS Komuna Novoselë
  9. Klement Vito – Kryetar PS fshati Nartë

Malaj: Berisha merr më shumë vota, sepse Gjika merret me kontrollet e partisë

Menjëherë ka reaguar edhe deputeti Arben Malaj për deklaratat e Shpëtim Gjikës duke theksuar se nuk ka votuar asnjëherë për kryeministrin Berisha.  Sipas tij, “Berisha merr më shumë vota nëqoftëse Shpëtimi nuk bën mirë punët e bashkisë ngaqë lodhet me kontrollimin e partisë”.

“Mos e keq përdor kohën për deklarata kundër kolegut tënd. Mbështet më të mirët. Thuaj me zë të fortë atë që shpesh e thua me zë të ulët. Thuaje për të mirën e Vlorës dhe të Shqipërisë”,- thekson ai.

Ja edhe deklarata e plotë e Arben Malaj:

Deklaratë nga Vlora për Vlorën.

Në respekt dhe mirënjohje të përhershme dhe ndaj të gjithë qytetarëve të Vlorës, i detyruar nga agresiviteti shpifës ndaj mbështetjes në rritje për kandidimin tim në detyrim të përfaqësimit dinjitoz të Vlorës, Sarandës dhe Delvinës fillimisht po bëj këtë deklaratë për shtyp nga qyteti i Vlorës. Ju jeni i bindur që më fitoren time opozita do të ketë një rezultat më të thellë dhe më cilësore në 23 Qershor. Zëri i vlonjatëve do të vij nga vota e qytetarëve me 23 Qershor dhe jo nga deklaratat e Gjikës. Shpëtimi ka detyrim të merret me punët e bashkise dhe jo me sulme ndaj kolegëve. Une kurrë nuk do të sulmoj kolegët por vetëm do të qartësoj opionin publik pas çdo deklarate servile.

Në asnjë rast të angazhimit të tim politik nuk kam votuar për Sali Berishën. Atij i shërbejnë ata që ndryshuan kushtetutën dhe që bashkëpunuan për të rrëzuar socialistët. Jam i bindur se do të ketë shumë lexues fletë rrufesh, edhe kërcënimet do të shtohen. Presioni juaj ndaj strukturave të PS për të penguar fushaten time modeste dhe pozitive është rritur ndjeshëm dhe në nivele të turpshme. PS nuk është bashkia e Tiranës apo e Vlorës. Ndërsa unë ju kam shërbyer dhe do t’iu shërbej socialistëve dhe njerëzve të mrekullueshëm të vendit tim të dashur. Berisha merr më shumë vota nëqoftëse Shpëtimi nuk bënë mirë punët e bashkisë ngaqë lodhet me kontrollomin e partisë. Nëse Edi Rama nuk e dëgjoj Shpëtim se kush duhet të ishte në përfaqësimin e Vlorës dhe hoqi tre prej tyre, Vlora nuk do t’a dëgjoj Gjikën se kush i shërben Berishës, aq më tepër që kjo në Vlorë dallohet lehtë që nga buza e detit.

I dashur Shpëtim

Është koha të përdorim të gjithë energjitë positive për një rezultat sa me të plotë te opozitës së Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Socialistë nuk të bën lista e Ramës por dashuria dhe përkushtimi për njerëzit. Rama do të kërkoj një ditë ndjesë siç po bënë përditë për gabimet që i përsërit, nuk do të doja që t’iu kërkonte prapë juve personalisht të lexonit fletën e lavdërimit. Kam qënë me fat që kam punuar për Vlorën dhe si përfaqësues i socilaistëve të Vlores me njerëz të përkushtuar si Gëzim Tushe, Niko Veizin, Eduart Alushi, Neki Dredha, Theodhori Shia, Bashkim Habili, Eltar Deda dhe pa dyshim edhe me ju shoku Shpëtim. Ndaj mos harxhoni asnjë sekondë kohë për të sulmuar njëri-tjetrin, populli është më i zgjuar se ne të dy për t’a kuptuar se ku fle lepuri. Frika dhe urrejtja primitive nuk synojnë suksesin e PS por mbijetesën personale. Ata nuk e barazojnë PS në Tiranë me Ramën dhe as PS në Vlorë me Gjikën.

Ndaj nuk jam munduar asnjëherë t’i sundoj ato me klientelizëm. Koncepti se kush ka dhënë dhe kush ka marrë më shumë nga PS është koncept klientelist.

I kam dhënë dhe do t’i jap pa fund Vlorës dhe jo vetëm Vlorës, dashuri dhe përkushtim, për një të ardhme më të mirë. Do t’a bëj këtë pa asnjë frikë nga sulmet tuaja. Do t’a bëj këtë pa asnjë joshje nga ofertat e pista. Do t’a bëj si detyrim mirënjohes ndaj kudo dhe kurdohere.

Në asnjë moment dhe për asnjë motiv nuk do t’i përçaj socialistët dhe mbështetësit tanë, as duke i trembur dhe as duke i joshur.
Jam angazhuar dhe përkushtuar gjithmonë që Vlora të jetë sa më harmonike dhe krenare siç e meriton.

Serish ju qartësoj mos bëni presione, në këtë garë nuk jam për një karrike por për një detyrim mirënjohës ndaj të rinjëve të vendit tim.

I dashur Shpëtim

Mos e keq përdor kohën për deklarata kundër kolegut tënd. Mbështet më të mirët. Thuaj me zë të fortë atë që shpesh e thua me zë të ulët. Thuaje për të mirën e Vlorës dhe të Shqipërisë.

Me fitoren time unë e rrisë cilësinë e fitores së Vlorës.

Miqesisht

Arbeni

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook